Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 9: Besëlidhja - Mamurrasi 0-1. Vjen humbja e parë në kampionat!

Pas tetë javë fitoresh dhe goleadash, Besëlidhja pëson humbjen e parë në kampionat në javën e fundit të fazës së parë.

Lezhjanët pësojnë golin e parë në fushën e tyre, por ai u kushton shtrenjtë, pasi për herë të parë që nga fillimi i sezonit, Besëlidhja humbet kreun. Ekipi i Sinan Bardhit mundet në Lezhë 1-0 nga Mamurrasi që, nga ana tjetër, mbetet sërish në vendet e para dhe shumë afër kreut, pavarësisht humbjes 1-0 që pësoi javën e kaluar nga Tërbuni. Ndeshja Sfida nis keq për Besëlidhjen.
Në minutën e 5- të, lezhjanët zbresin në një sulm nga e djathta me Malon që kontrollon topin dhe në ecje e sipër, duke iu afruar vijës fundore, godet me bërryl mbrojtësin mik Çekiçi. Kryesori Jorgji nuk e toleron, duke i nxjerrë menjëherë kartonin e kuq sulmuesit të Besëlidhjes dhe e lënë skuadrën lezhjane me 10 lojtarë. Në minutën e 18- të portieri Rexhepi lëshon një top të dobët dhe pa adresë që zotërohet nga miqtë dhe një prej tyre shërben për Ramadanin, i cili ka hapësirën e nevojshme dhe godet fort duke shënuar, 0- 1. Pas kalimit në avantazh, mamurrsakët tërhiqen në mbrojtje dhe në këtë mënyrë vendësit e zhvendosin lojën në gjysmëfushën mike, por pa arritur të shënojnë.

Në minutën e 44-t Besëlidhja sulmon rrezikshëm me Gjorgjeviç që hyn në zonë, por pas një përplasjeje me lojtarët miq serbi dëmtohet në vetull. Ndalet loja dhe lojtari transportohet me ambulancë drejt spitalit për mjekim të mëtejshëm. Edhe pjesa e dytë kontrollohet totalisht nga vendësit, të cilët, për shkak se luajnë me një lojtar më pak, e kanë të vështirë të shënojnë. Në minutën e 48-të, Besëlidhja sulmon rrezikshëm nga qendra me anë të Muçollarit, por ky i fundit pengohet me ndërhyrje nga pas nga Ramadani, i cili merr kartonin e dytë të verdhë dhe del me të kuq. Vendësit krijojnë raste edhe në minutat 70, 72, 78, 80 dhe 81, por pa finalizuar. Në këtë mënyrë, Besëlidhja pëson humbjen e parë pas dy vitesh në fushën e vet. Pas ndeshjes, presidenti i Mamurrasit, Ded Ndreca, deklaroi se ky sukses u dedikohet të gjithë tifozëve të Mamurrasit, në një kohë që bëri të ditur se do të ketë premio për ekipin pas këtij triumfi.
 
Besëlidhja – Mamurrasi  0-1
Shënues: Ramadani 18’
Besëlidhja: Rexhepi, Gjokeja (Allamani 53’), Shytani (Mehja 85’), Jakupi, Dibra, Baçi, Hoxha, Xhorxheviç (Puka 44’), Muçollari, Marashi, Malo. Trajner: S. Bardhi
Mamurrasi: Moçka, Sulollari, Çekiçi, Abraham, Elmazi, Kastrati, Ramadani, Karapici, Tushe, Tanushi (Fonseka 46’), Mancaku. Trajner: S. Nica
Gjyqtarë: E. Jorgji, E. Gançi (Elbasan), R. Avdo (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Jakupi / Ramadani
Kartonë të kuq: Malo / Ramadani
   
Back To Top