Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Jorgji na ndëshkoi qëllimisht, duam drejtësi!

Besëlidhja pësoi të shtunën humbjen e parë në kampionat, pasi u mund në fushën e vet nga Mamurrasi me rezultatin 1-0, çka i shkaktoi edhe humbjen e vendit të parë. Por, presidenti Gjok Noka ka rezerva për gjykimin e sfidës.

Në prononcimin e tij për gazetën, Noka shprehet:”Besëlidhja pësoi humbjen e parë në fushën e vet pas më shumë se dy vitesh. Dhe kjo jo nga niveli i lojës, por nga gjykimi i njëanshëm. Dhe këtë e tregon më së miri numri i rasteve dhe koha e kontrollit të lojës nga ana jonë. Mua më çudit fakti sesi një sulmues që po lufton për ta ruajtur topin mes tre lojtarëve, të ndëshkohet menjëherë me karton të kuq, pa ndërhyrë brutalisht apo konfrontuar me kundërshtarin. Unë e kam ndjekur me vëmendje aksionin e Malos, ndaj jam tepër i qartë në shpjegimin e rrethanave në të cilat u dha kartoni. Ky veprim i paprecedent i gjyqtarit të FIFA-s, Enea Jorgji lë vend për të dyshuar se ishte i qëllimshëm për të ndëshkuar Besëlidhjen, pasi dikujt po i verbon sytë me rekordet që ka arritur deri tani.

Ky rast flagrant i gjykimit tendencioz nuk ndalet me kaq, por përsëritet edhe në minutën e 44-të kur futbollisti ynë Milan Gjorgjeviç që ishte fare pranë portës goditet brutalisht pas veshit nga mbrojtësi Abraham duke e lënë pa ndjenja dhe duke e detyruar që të shkonte urgjentisht në spital. Gjyqtari Jorgji, që ishte fare pranë aksionit, jo vetëm që nuk e ndëshkoi Abrahamin, por akordoi faull për agresorin duke na mohuar një 11-metërsh të pastër. Por, ai arbitër ka qenë i njëanshëm gjatë të gjithë lojës. Nga ana ime, i kërkoj FSHF-së të jetë më e kujdesshme në përzgjedhjen e gjyqtarëve. Federata duhet të tregohet e pamëshirshme me arbitrat që kryejnë veprime të një niveli të tillë komprometues, pasi kjo bëhet shkak për dhunë me përmasa të mëdha”, përfundon Noka.
   
Back To Top