Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Samuel Nikaj, favorit për stolin lezhjan!

Situata te Besëlidhja ka ndryshuar komplet pas largimit të trajnerit Sinan Bardhi nga drejtimi i kësaj pankine. Tashmë, drejtuesve të klubit u del për detyrë që të hyjnë në merkato, jo vetëm për përforcimin e ekipit, por edhe për të gjetur njeriun që do të drejtojë këtë skuadër në pjesën e dytë të kampionatit. E ndërsa pankina ka mbetur bosh, ka zëra që zëvendësi i tij do të vijë nga Shkodra. Emri më i përfolur është ai i Samuel Nikajt, i cili momentalisht drejton të rinjtë e akademisë “Vllaznia”. Vendosja e “timonierit” do t’i hapë rrugë merkatos dimërore, pasi ashtu siç ka premtuar presidenti Gjok Noka, do të heqë 70% të grupit, për t’i zëvendësuar me lojtarë cilësorë.

Dorëheqja për arsye personale e trajnerit Sinan Bardhi i ka surprizuar të gjithë, pasi nuk e prisnin një gjë të tillë, aq më tepër që ecuria e Besëlidhjes ka qenë pozitive në pjesën e parë të sezonit. Trajneri Bardhi është ulur në pankinën e Besëlidhjes gjysmën e dytë të sezonit 2012-2013, duke zëvendësuar Saimir Malkon, i cili dha dorëheqjen, pasi skuadra nën drejtimin e tij pothuajse kishte rënë nga e Para. Ai e mori ekipin në momente mjaft të vështira dhe pavarësisht situatës që ndryshoi, lezhjanët nuk mundën dot ta shmangnin rënien në një kategori më poshtë. Mirëpo, gjatë sezonit 2013-2014, nën drejtimin e Sinan Bardhit, lezhjanët arritën t’i fitonin pjesën dërrmuese të ndeshjeve, çka i mundësuan rikthimin në të Parën.

Me ngjitjen e Besëlidhjes, drejtuesit e klubit bënë një merkato të fuqishme, me pëlqimin e trajnerit Bardhi për ta ngjitur më në fund, pas 6 sezonesh në elitë. Nën drejtimin teknik të Sinan Bardhit, Besëlidhja arriti rezultate pozitive gjer në javën e 9-të, kur u thye në shtëpi nga pretendentët për Superioren, Mamurrasi. Kjo ishte humbja e parë që pësoi Besëlidhja në shtëpi pas më shumë se dy sezonesh. Kjo humbje shokuese u pasua menjëherë edhe në transfertën e radhës në Burrel. Pas këtyre dy humbjeve radhazi, lezhjanët arritën të rikuperonin shumë shpejt dhe t’i kthehej traditës së fitoreve, madje me goleadë edhe në transfertë, duke mundur Veleçikun në stadiumin e Kamzës me rezultatin 4-1, pas fitores në shtëpi ndaj Adës 3-2. Por këto fitore e mbajtën përsëri në vend të 3- të, 4 pikë larg kreut. Tashmë pritet të shihet ecuria e kësaj skuadre në pjesën e dytë.
 
Back To Top