Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli nuk bën kompromis: Besëlidhja do të ngjitet në elitë!

Trajneri i Besëlidhjes, Ridvan Kulli është i kënaqur, por njëkohësisht edhe ndien një përgjegjësi të madhe për drejtimin e skuadrës, pasi objektivi i vënë nga presidenti Gjok Noka për ngjitjen e skuadrës në Superiore është një detyrë që duhet të kryhet pa kthim pas. Deri tani merkato dimërore i ka kushtuar ndërprerjen e kontratës trajnerit Sinan Bardhi dhe 5 futbollistëve, ku përveç 4 emrat e të cilëve janë bërë me dije, është larguar edhe Edison Puka. Këto largime nuk po mbeten vakant, pasi me marrjen e detyrës nga ana e Rullit, po bëhen edhe afrimet e para, që startuan me shkodranin Klodian Semina, për të vijuar me dy serb që pritet të vijnë këto dy ditë dhe të 3 futbollistëve të tjerë nga Kategoria Superiore. Trajneri Kulli gjatë një prononcimi për “Sport Ekspres” u shpreh: “Ulja në krye të pankinës së Besëlidhjes është një barrë tepër e rëndë, për përgjegjësinë që merr përsipër, po njëkohësisht edhe një kënaqësi, pasi ja vlen të punosh te kjo skuadër. Unë e njoh shumë mirë klubin lezhjanë të futbollit, pasi kam qenë pjesë e tij që në fëmijëri e deri tani. Kam luajtur futboll, më pas kam drejtuar moshat dhe Besëlidhjen deri në fund të sezonit 2011-2012 ku nuk arritëm të ngjiteshim në Superiore, pas në ndeshjen shtesë u ndëshkuam nga gjuajtja e 11-metërshave. Rikthimi im tek Besëlidhja është në një kohë që ka nevojë më shumë se për asgjë tjetër e sa për drejtues teknik, pasi në skuadër nuk mungojnë futbollistët tepër cilësorë, po ashtu priten edhe të tjerë tepër cilësorë. Duke i qëndruar asaj që thashë më sipër, Besëlidhja duhet me doemos t’i rikthehet elitës, pasi nuk ka qëndruar më shumë se kaq në kategoritë inferiore”.

Më pas Kulli ka folur edhe për ekipin e tij. “Për t’i bërë analizën gjendjes reale të skuadrës është ende herët, pasi futbollistët sapo janë grumbulluar, pas pushimeve të fundvitit. Por një gjë është e sigurt, se besëlidhja e këtij sezoni është një nga skuadrat më të kompletuara të të gjithë Kategorisë së Parë, ndaj duhet shumë punë profesionale për të ndërtuar formacionin me lojtarët më të mirë që janë në organikë. Unë jam optimist për realizimin e objektivit, pasi skuadra edhe pse momentalisht unë e mora në vend të tretë, por nuk është shumë larg kreut, por duke e ditur se 3 skuadrat e para jemi shumë afër njëra-tjetrës kemi përpara një gjysmë sezoni mjaft të vështirë. Megjithatë me punë jam i bindur se do të arrihet objektivi”, përfundoi Kulli.
 
Back To Top