Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Miqësore: Tirana - Besëlidhja 3-1

Besëlidhja është mundur nga bardheblutë me rezultatin 3-1, në takimin që u luajt në stadiumin “Besa” të qytetit të Kavajës.

Besëlidhja është treguar e pafuqishme për ballë Tiranës, ndërsa te bardheblutë shkëlqeu Gjergji Muzaka që realizoi dy gola, por nuk mungoi edhe Bushiç në listën e shënuesve të këtij testi miqësor. Jo gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve, pasi Elis Bakaj është dëmtuar në kavilje duke lënë fushën e lojës, ndërsa Pashaj u ndëshkua me karton të kuq.

Tirana hedh në fushë formacionin më të mirë, edhe pse jashtë janë disa nga titullarët e saj, për arsye të ndryshme, ndërsa të njëjtën gjë bën edhe trajneri Kulli me Besëlidhjen e tij. Bardheblutë tregohen të rrezikshëm që në fillim, ndërsa është Gjergji Muzaka që hap siparin e golave për kryeqytetasit. Në minutën e 28-të, afrimi i kësaj merkatoje te bardheblutë realizon duke kaluar në avantazh Tiranën. Katër minuta më vonë realizon edhe Bushiç, duke dyfishuar rezultatin. Besëlidhja duket e shpërqendruar dhe për pasojë pësojnë edhe golin e tretë.

Kaq për pjesën e parë, ndërsa në të dytën ka shumë zëvendësime nga të dyja kampet. Njëri prej këtyre ndërrimeve do të ishte i detyruar, pasi Elis Bakaj lë fushën i dëmtuar pas një goditje të marrë në kavilje. Gjendja e mesfushorit nuk dukej shumë e mirë edhe pas ndeshjes, pasi kavilja dukej qartë që kishte pësuar ënjtje. Fraksioni i dytë i ndeshjes do të sillte ndryshim të rezultatit, vetëm 2 minuta para fundit. Besëlidhja fiton një 11-metërsh, pas rrëzimit në zonë të Turkajt, Hoxha shënon nga pika e bardhë, ndërsa më parë, Pashaj do të ndëshkohej me karton të kuq, pas një mosmarrëveshje me njërin prej lojtarëve të Besëlidhjes. Si përfundim, Tirana fiton 3-1.

Tirana - Besëlidhja 3-1
Shënues: Muzaka 28′, 42′ , Bushic 32’/ Hoxha 88′ (11-m)
Tirana: Frashëri, Muça, Curri, Idrizaj, Taku, Kalari, Sefa, Muzaka, Hyshmeri, Bakaj, Bushiç (U aktivizuan Ed. Bakaj,  Pashaj, Halili, Domgjoni, Gavazaj, Nuri, Llagami) Trajner: G. Magani
Besëlidhja: Rexhepi, Semina, Jakupi,  Ushumoviç, Gjokeja, Muçollari, Hoxha, Lini, Xhorxheviç, Grudo, Malo (U aktivizuan Arapi, Përgjini, Nekaj, Turkaj, Demi, Shytani, Dibra) Trajner: R. Kulli
Gjyqtarë: D. Zyba, T. Sokoli, E. Spahiu (Peqin)
Karton i kuq: Pashaj 88’
   
Back To Top