Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja kërkon kthesën në Krujë

Besëlidhja, nën drejtimin e dyshes Kulli-Lani, vijoi edhe dje përgatitjet anti-Kastriot, sfidë që do ta luajnë në transfertë. Pas barazimit pa gola në shtëpi kundër Tërbunit, lezhjanët kërkojnë veçse fitoren. 

Që në javën e 9-të, pra të fundit për fazën e parë në ndeshjen e humbur ndaj Mamurrasit, e ka lëshuar kreun dhe po lufton për ta rimarrë përsëri.Por barazimi i së shtunës në shtëpi e frenoi, gjithsesi futbollistët së bashku me stafin teknik e drejtues janë të bindur se në Krujë do rigjejnë fitoren. Vetëm ky rezultat do ndizte sërish shpresat për të pretenduar Superioren. Ndihmëstrajneri Gledis Lani, gjatë një bisede për “Panorama Sport”, analizon gjendjen e grupit. Ai shfaq bindjen se skuadra premton dhe këtë do e dëshmojë edhe me Kastriotin.

“Edhe pse të shtunën nuk arritëm që të fitonim ndaj Tërbunit, por u mjaftuam me një barazim pa gola, nuk është fundi i botës. Kemi edhe gjysmën e sezonit para, ndaj nuk ka vend për t’u alarmuar. Ne jemi vetëm 4 pikë larg vendit të parë dhe jam i bindur se shumë shpejt do t’u rikthehemi fitoreve që do të na ngjisin në krye të grupit tonë. Ne duhet që të punojmë fort me skuadrën dhe me futbollistët individualisht, që atë kapacitet që zotërojnë, ta shpalosin në arenën e blertë, pra të japin maksimumin. Kjo do të na kthente automatikisht te fitoret, pasi kapaciteti dhe kualiteti i tyre është mjaft premtues. Për sa i përket sfidës së radhës në Krujë, ne do të luajmë lojën tonë, që unë besoj se do ta dominojmë gjithë sfidën, gjithsesi gjithçka do të flasë brenda arenës së blertë në përballjen zyrtare, le të fitojë ai që e meriton”, tha nd/ trajneri i Besëlidhjes, Gledis Lani.
   
Back To Top