Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 13: Besëlidhja - Tërbuni 0-0. Një barazim që vlen si një humbje!

Besëlidhja humbet një shans të mirë për të ndalur Tërbunin dhe për t’iu afruar kreut. Në përballjen ndaj pukjanëve, lezhjanët nuk shkojnë më shumë se një barazim 0-0. 

Një sfidë e zhvilluar në një atmosferë të nxehtë ku mungojnë vetëm golat. Tifozëri e zjarrtë për të dyja skuadrat, në një kohë që të pranishme janë edhe Forcat Speciale për të mbajtur gjithçka nën kontroll. Një lojë e ashpër nga të dyja ekipet, gjatë të cilës akordohen 10 kartonë të verdhë dhe një i kuq. Gjithashtu, me karton të kuq për protestë ndaj arbitrit është ndëshkuar edhe trajneri i Besëlidhjes, Ritvan Kulli, i cili debuton me ndëshkim në stolin lezhjan. Ndeshja Sfida ka startuar me 1 minutë heshtje në nderim të këngëtarit lezhjan Gentian Demaliaj, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë. Janë vendësit që kontrollojnë topin që në start, duke e mbajtur nën kontroll për rreth dy minuta. Erkoçeviq dhe Gjorgjeviç janë më të rrezikshmit, por nuk arrijnë të finalizojnë. Në minutën e 10- të, Gjorgjeviç kroson nga e djathta, por Muçollari godet lehtë dhe gardiani mik kontrollon topin. Lezhjanët vijojnë sulmet, por miqtë nuk çahen. Në minutën e 36-të, Besëlidhja sulmon nga e djathta me Gjorgjeviç dhe në këtë moment tifozëria pukjane hedh në fushë afër serbit një kapsollë. Sfida ndërpritet për 1 minutë. Edhe fraksioni i dytë është njëlloj si i pari, me vendësit që sulmojnë shumë dhe miqtë që mbrohen. Në të 54-ën, Greca i miqve shpërthen dhe kalon mbrojtjen, por është Bejte që shpëton portën e tij nga një gol i sigurt. Pas këtij rasti të miqve, loja qetësohet disi, por shumë shpejt kontrollohet nga Besëlidhja, që hidhet në kërkim të golit, por sulmet e tyre sfumohen para zonës kundërshtare. Në minutën e 67-të, Danaj i Tërbunit merr kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje dhe e lë skuadrën me 10 lojtarë. Në minutën e 85-të, trajnerin vendës Kulli nuk e mbajnë më nervat dhe proteston ashpër ndaj arbitrit kryesor Jemini për një faull në fushë. Gjyqtari reagon menjëherë duke e ndëshkuar Kullin me karton të kuq. Pavarësisht sulmeve të njëpasnjëshme, rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund dhe Tërbuni vazhdon kryesimin.

Besëlidhja - Tërbuni 0-0
Besëlidhja: Bejte, Semina, Dibra, Jakupi, Manuka, Hoxha, Gjorgjeviç, Erkoçeviq (Gjokeja 68′), Muçollari, Malo, Bajiç (Marashi 53′). Trajner: R.Kulli
Tërbuni: Giljen, Mone, Kepi, Lila, Danaj, Çutra, Karakaçi, Mziu, Djarmati (Lekaj 68′), Rroca (Kabuni 88′), Greca (Pelinku 90+3′). Trajner: E.Plori
Kartonë të verdhë: Gjorgjeviç 36′, Bajiç 49′, Muçollari 56′, Manuka 68′/ Kepi 50′, Greca 66′, Giljen 89′, Karakaçi 90′
Kartonë të kuq: R.Kulli 85′/ Danaj 60′ 67′(2v)
Gjyqtarë: L.Jemini, D.Agaraj, N.Bregasi (Tiranë)
     
Back To Top