Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 17: Besëlidhja - Iliria 2-0. Lezhjanët i afrohen kreut!

Besëlidhja vazhdon me trendin e fitoreve, tek sa ka mundur Ilirinë me rezultatin 2-0. Lezhjanët falë golave të shënuar nga Kulli dhe Bajiç nga pika e bardhë, kanë dalë triumfues nga fusha e lojës, duke iu afruar akoma edhe më shumë kreut të klasifikimit, që mbahet nga Tërbuni.

Që në fillim loja u kontrollua nga Besëlidhja, ku në të 5′ sulmojnë rrezikshëm me anë të Gjokejës, por pa sukses. Në minutën e 8-të, sulmuesi serb Kosta Bajiç ka një rast, por mbrojtja mike reagon në kohë, duke neutralizuar gjithçka. Pas këtij momenti, fushë-krujasit mundohen të organizohen me ndonjë kundërsulm sporadik, por që thyhen shumë shpejt para zonës vendëse. Rastet e lezhjanëve janë të njëpasnjëshme, me anë të Bajiçit, Gjokejës, Erkoçeviqit, por shpërdorojnë. Miqtë nga Fushë-Kruja sulmojnë me anë të Lleshit dhe Selacit, por gardiani Bejte e zgjidh me mjeshtri situatën.
Në të 23′, lojtarët e Besëlidhjes organizojnë një sulm nga e majta, duke lëshuar një top në zonën mike dhe në këtë rrëmujë, para portës fushë-krujase përplasen në dyluftim ajror sul muesi Kosta Bajiç dhe mbrojtë- si mik Jurgen Goxha. Ky i fundit pësoi një dëmtim në kokë dhe u desh ndihma e ambulancës, për ta transportuar drejt spitalit rajonal të Lezhës për ekzaminim të specializuar. Mirëpo, fatmirësisht konkludoi një dëmtim jo serioz dhe futbollisti u rikthye pranë skuadrës. Në të 33′ Marashi futet rrezikshëm në qendër të zonës fushë- krujase, nga ku futbollisti mik Balloku e pengon në mënyrë të gabuar Marashin. Gjyqtari akordon një 11-metërsh, ekzekutimin e të cilit e merr përsipër kapiteni Jakupi, por shpërdoron.

Pavarësisht rasteve, skuadrat respektive do të shkonin në dhomat e zhveshjes me rrjeta të paprekura. Fraksioni i dytë nis me dy ndërrime për Besëlidhjen për të rifreskuar mesin e fushës, ku Ritvan Kulli konstatoi më shumë defekte. Në minutat 54′ dhe 59′ Besëlidhja sulmon rrezikshëm me anë të Turkajt dhe Bajiçit nga ku Shytani, me një gjuajtje, detyron Bakun ta nxjerrë topin në korne. Në të 61′, Kulli, pas një sulmi nga e djathta, zhbllokon rezultatin në 1-0.

Pas shënimit të golit, skuadra luan më lirshëm, duke i intensifikuar sulmet, por çuditërisht gabojnë para portës mike, çka transmeton nervozizëm në radhët e tifozërisë. Në të 82′ pas një sulmi të shpejtë të Besëlidhjes, mbrojtja mike e ndalon këtë sulm, por kryesori akordon përsëri penallti, që i besohet sulmuesit Kosta Bajiç, i cili dyfishon rezultatin. Pas shënimit të golit të dytë, Besëlidhja mbetet me 10 futbollistë, pasi lezhjani Jurgen Kulli del me barelë nga fusha e lojës. Në minutën e 91′, miqtë fushë-krujas gati sa nuk e shkurtuan distancën e golave me anë të Ballokut dhe pas këtij rasti, futbollisti i Besëlidhjes Bekim Erkoçeviq bën një ndërhyrje të gabuar, del me të kuq. Gjithsesi, nuk ka më histori, Besëlidhja u gëzohet në fund tri pikëve.

BESËLIDHJA-ILIRIA 2-0
GOLAT: Kulli 61′, Bajiç 83′ (11-m)
BESËLIDHJA: Bejte, Shytani,Semina, Jakupi, Gjokeja (Hoxha46′), Erkoçeviq, Dibra (Ushumoviç46′), Kulli, Marashi, Turkaj (Manuka55′), Bajiç.
Trajner: Ritvan Kulli
ILIRIA: Baku, Sala, Goxha (Ajazi 27′),Vathi, Balloku, Caca, Kurti, Gjonaj,Lama, Selaci (Mamica 78′), Lleshi(Allamani 56′).
Trajner: Fatmir Sala
GJYQTARË: E.Llapaj, R.Malaj,E.Pulaj (Vlorë);
DELEGAT: Alban Tafaj (Tiranë)
VËZHGUES: Genci Maloku (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Bajiç 27′ /Balloku 33′, Vathi 66′
KARTON I KUQ: Erkoçeviq 92′
 
Back To Top