Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 18: Mamurrasi - Besëlidhja 0-1. Hoxha hakmerret!

Besëlidhja i dha leksion Mamurrasit, duke u hakmarrë kështu dhe duke i kthyer reston e fazë së parë dhe tashmë ekipi i Kullit është më afër kreut të tabelës. Goli për miqtë ka ardhur pas një gjuajtjeje të rreptë të Hoxhës nga rreth 20-22-m . 

Përpjekjet e skuadrës së Bardhit për të balancuar shifrat kanë rezultuar përgjatë gjithë takimit, mirëpo si sulmuesit Tanushi dhe Fonseka, ashtu edhe futbollistët e tjerë vendas, nuk ia kanë dalë të gjejnë rrugën e rrjetës. Ndeshja ka nisur me ritëm. Sinjalin e parë të rrezikshëm e japin vendasit teksa në minutën e tretë ndërmarrin një aksion me disa pasime në krahun e djathtë. Pinto, ka krosuar në zonë aty ku Fonseka me kokë ka goditur shumë pranë shtyllës pingule në të djathtë të portierit Bejte. Më pas janë miqtë të cilët shfaqen në afërsi të zonës së Mamurrasit . Bajiç ka provuar në hyrje të zonës, por topi i goditur prej tij kalon paksa jashtë kuadratit. Pas rastit të shpërdoruar të Tanushit, janë futbollistët e Besëlidhjes që në minutën e 20′ shënojnë një gol, i cili për vijrojtësin Mahmutaj është jashtë loje. Gjithsesi Besëlidhja do të arrijë të zhbllokojë rezultatin pikërisht në minutën në 32′. Nga thellësia ka ardhur Hoxha teksa me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, ka mposhtur portierin Bytyçi, 0-1. Goli i disavantazhit duket se i ka zgjuar lojtarët vendas. Për minuta të tëra luhet në gjysmëfushën mike teksa në të 41′, Mamurrasi i pati të gjitha mundësitë për të shënuar golin e barazimit me anë të Tanushit.

Pjesa e dytë – Vendasit futen në fushë mjaft të karikuar. Kur pritej që Mamurrasi të realizonte golin e barazimit, falë epërsisë, ka ardhur edhe goditja e dytë. Këtë herë skuadra e Bardhit ndëshkohet me karton të kuq. Ishte minuta e 72′ kur kavajasi Mihani, ka ndërhyrë me takat lart ndaj Manukës, duke marrë menjëherë kartonin që e largon nga fusha. Në këto kushte vështirësia e vendasve shtohet por gjithsesi Mamurrasi mbetet përpara. Fonseka në një ditë jo të mirë sportive, nuk arrin të thyejë dot Bejten, ndërkohë që rastet për të janë të panumërt. Lëvizjet nga stoli të teknikut Bardhi, duket se e rrisin ritmin e vendasve, por miqtë të kthyer totalisht prapa i thyejnë aksionet e Mamurrasit. Në fund ka festë për miqtë të cilët në këtë takim janë mbështetur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh.

Mamurrasi – Besëlidhja 0-1
Shënues: Hoxha 32′
Mamurrasi: Bytyçi, Kastrati, Alencheu, Sulollari, Ramadani (Karapici 70′), Allmeta (Mancaku 32′), Mihani, Tushe (Lima 74′), Pinto, Tanushi, Fonseka. Tr.: S.Bardhi.
Besëlidhja: Bejte, Shytani, Jakupi, Usumoviç, Semina, Manuka, Hoxha, Dibra, Dordeviç (Turkaj 90′), Marashi (Kulli 77′), Bajiç (Malo 71′). Tr.: R.Kulli.
Kartona: Allmeta, Tushe / Marashi, Bajiç, Dibra, Shytani, Usumoviç.
Karton i kuq: Mihani.
Gjyqtarë: E. Jorgji, A.Mahmutaj, E.Sinani (Elbasan)
   
Back To Top