Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 23: Besëlidhja - Iliria 2-0. Me shpresë deri në fund!

Besëlidhja nuk njeh rivalë, mund Ilirinë dhe vazhdon të ëndërrojë për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Dy gola të shënuar në harkun kohor të dy minutave, pikërisht në 43-ën dhe 45-ën nga Bajiç dhe Turkaj kanë likuiduar fushë-krujasit.

Që në nisje, të dyja skuadrat e kërkuan me insistim golin duke u munduar të sulmonin në portat respektive, por mbrojtjet nuk lejuan. Kësisoj, për disa minuta loja u zhvillua kryesisht në mesfushë me qarkullime të dendura topi nga të dyja skuadrat. Në të 3′, miqtë fushë-krujas depërtojnë deri në brendësi të zonës vendëse, por pa rrezik për portierin. Kundërpërgjigjen lezhjanët në të 12-ën, me anë të Kosta Bajiç, i cili gjuan nga 20 metra, por pa sukses. Sërish Bajiç godet me kokë, por përsëri nuk i bindet topi. Në minutën e 30- të, Ajazi rrëzohet fare pranë zonës së Besëlidhjes, duke fituar një goditje ballore, por që nuk arritën ta kthenin në gol. Në të 32′, vendësit rrezikojnë seriozisht me anë të të riut 19- vjeçar, Rudolf Turkaj, i cili me kokë gati sa nuk shënoi. Këtë që nuk arriti ta bënte Turkaj, e realizoi serbi Bajiç 11 minuta më vonë, pikërisht në të 43′, ku pas një sulmi gjuan saktë, duke mposhtur portierin e Ilirisë, Selacin.

Delir te vendësit. Dy minuta më vonë, serbi Bajiç sulmon nga e djathta dhe sapo i afrohet vijës vertikale të zonës mike, pikas Turkajn të lirë dhe ky i fundit me të majtën e tij nga rreth 28 metra godet saktë, duke dyfishuar rezultatin. Me avantazhin e dy golave në favor të lezhjanëve, do të mbyllej dhe pjesa e parë. Fraksioni i dytë ishte më me ritëm të ulët, pasi vendësve nuk u interesonte shumë lodhja, duke qenë se ishin në avantazh, po ashtu edhe miqtë nuk ishin në lartësinë e duhur, ndaj zbehja ishte e natyrshme. Në të 56-ën, miqtë përfitojnë nga hapësirat e mesfushorëve vendës, ku Gjonaj futet rrezikshëm në zonën e Besëlidhjes, por Bejte mjaft i vëmendshëm eviton rrezikun. Pas rifreskimit të të dyja skuadrave me ndërrime, loja ndizet disi, por pa ndonjë rrezik serioz. Në të 86-ën, Gjorgjeviç merr një top nga Turkaj, gjuan nga e majta e sulmit, por topi përfundon mbi tra. Nuk ndryshon asgjë deri në fund, lezhjanët marrin tri pikë të arta në shtëpi, për vetë synimin që ata kanë.

BESËLIDHJA – ILIRIA 2-0
GOLAT: Bajiç 43′, Turkaj 45′
BESËLIDHJA: Bejte, Semina, Gjokeja, Shytani, Turkaj, Gjorgjeviç (Ameri
87′), Erkoçeviq, Muçollari, Nekaj, Kulli (Përgjini 72′), Bajiç (Ndoca 77′). Trajner: R.Kulli
ILIRIA: E.Selaci, Sala, Vathi, Balliu, Balloku, Lilaj, Caca (Lleshi 61′),
S.Selaci, Gjonaj, Doçi (Goxha 60′), Ajazi. Trajner: F.Sala
GJYQTARË: K.Shahini, M.Sadikaj, A.Demiraku (Durrës);
KARTON I VERDHË: Sala 68′
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë)
VËZHGUES: Ditmar Bilali (Shkodër)
   
Back To Top