Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 24: Burreli - Besëlidhja 0-1. Tani vetëm 3 pikë larg kreut!

Lezhjanët kanë fituar tri pikë shumë të dobishme dje në “Liri Ballabani”, ndërkohë fundi i takimit është shoqëruar me kontestime të shumta të drejtuesve e lojtarëve vendas si dhe reagime të tifozëve matjanë. Goli i Malos në minutat e fundit ka gëzuar pa masë Besëlidhjen dhe tifozët e ardhur nga Lezha në qytetin e Burrelit. Trajneri Farruku ka akuzuar kryesorin Beqiri se ishte shkaktari i humbjes së vendasve, madje theksoi se prej vitesh nuk kishte parë një gjykim kaq joprofesional. Pas golit të Besëlidhjes në fushën e lojës janë hedhur sende të ndryshme, gurë dhe shishe plastike.

Pjesa e parë - Është më e luftuar dhe më e bukur, me raste shënimi nga të dyja ekipet. Sapo nis ndeshja, Julian Malo lëshon “shkëndijën” e parë, duke treguar se lezhjanët kishin udhëtuar drejt Burrelit me synime të qarta. Dy minuta më pas është kapiteni i matjanëve, Henri Mata, që gjuan fort ngjitur me shtyllën e portës së Bejtes. Në minutën e 9-të, Burreli humb lojtarin kryesor, Orges Linin. Një ndërhyrje e ashpër e lojtarëve të Besëlidhjes i shkakton dëmtim serioz të gjurit të majtë. Trajneri Farruku e përjeton keq këtë moment, pasi e konsideronte Linin si rregullatorin e lojës. Në të 16-ën, është sërish Malo që tenton golin e parë për Besëlidhjen, por pa sukses. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Bajiç humb një rast ideal për gol për lezhjanët, ndërsa gjuajta e tij me kokë, nga fare pranë portës, neutralizohet nga portieri matjan, Xhixha.

Pjesa e dytë - Nis me Besëlidhjen në sulm, ndërsa sërish Bajiç që në minutën e 47-të gjuan fort, ngjitur me traun e portës lezhjane. Pirani në të 66-ën humb rastin më të volitshëm për vendasit. Pesë minuta nga fundi, miqtë pretendojnë për një penallti, por kryesori vijon lojën. Dy minuta më pas, lezhjanët ekzekutojnë një goditje këndi, ndërsa gjuajtja e Malos devijohet në rrethana të paqarta nga mbrojtësit e Burrelit. Kryesori Beqiri drejton dorën te pika e bardhë e 11-metërshit. Vendasit kundërshtojnë, por gjyqtari nuk tërhiqet nga vendimi i tij. Gjuan Malo, saktë dhe kalon në avantazh Besëlidhjen. Një gol ky që do të vendoste fatin e takimit, i cili në fund do të fitohej me rezultatin minimal nga lezhjanët.

Burreli - Besëlidhja 0-1
Shënues: Malo
BURRELI: Xhixha, Methasani, Rapo, Pjetërnikaj, Ujkaj, Kaloshi, Mëllugja, Mata (Farruku 83’), Lini (Markaj 9’), Pirani (Salaj 68’), Puka Trajner: Xh. Farruku
BESËLIDHJA: Bejte, Shytani, Jakupi, Gjokeja (Kulli 66’), Dibra, Samina, Erkoçeviç, Marashi (Muçollari 35’), Gjorgjeviç (Turkaj 73’), Malo, Bajiç Trajner: R. Kulli
GJYQTARË: A. Beqiri, D. Agaraj, F. Mata
Kartonë të cerdhë: Puka / Malo, Bejte
 
Back To Top