Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bajiç: Tërbuni ka më shumë avantazhe se ne, por e mposhtim!

Besëlidhja do të përballet këtë të shtunë ndaj Tërbunit, në një ndeshje ku do të kërkojë me çdo kusht tri pikët, për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Shpresa numër një që i mban gjallë lezhjanët për fitore ndaj pukjanëve është dyshja sulmuese Malo-Bajiç, të cilët kanë dhënë prova, duke zgjidhur situata të vështira në ndeshje decizive ndaj rivalëve.

Po ashtu, një armë e fortë është edhe portieri Bejte dhe mbrojtja e pathyeshme. Sulmuesi serb, Kosta Bajiç, në një bisedë për “Panorama Sport” ka pohuar: “Tërbunin unë e njoh shumë pak, pasi vetëm në ndeshjen e parë pas ardhjes time këtu jemi ndeshur me të, një ndeshje që përfundoi në barazim pa gola.

Përveç thyerjes që pësuam në Krujë ndaj Kastriotit, që nuk pritej, Besëlidhja ka dhënë prova të pakontestueshme se është skuadra më e pathyeshme e së Parës. Gjithmonë skuadrave të mëdha fuqia e tyre reale u duket pikërisht në sfidat ndaj rivaleve e jo ndaj skuadrave pa objektiv.

Ndaj jam i bindur se Besëlidhja në supersfidën pukjane do të jetë e suksesshme. Edhe pse pukjanët kanë më shumë avantazhe sesa ne, që nga fusha, që është kryesorja, po ashtu edhe nga diferenca e një pike para nesh, por Besëlidhja ka fuqinë e saj. Duke u nisur nga sa thashë më lart, Besëlidhja nga Puka do të kthehet me fitore, që do të thotë Superiore”.
   

Back To Top