Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, 10 milionë lekë premio në rast fitoreje!

Besëlidhja do të përballet këtë fundjavë ndaj Tërbunit, një duel ku do të vendosen fatet e sezonit. Atmosfera në pritje të supersfidës pukjane ka elektrizuar një qytet të tërë. Përveç grupimeve të tifogrupit lezhjan, që tashmë është në kulmin e organizimeve, edhe shumë sportdashës të tjerë po i bashkohen kësaj atmosfere duke u interesuar për detajet në vijimësi.

Ndërkaq, Bashkia Lezhë ka akorduar 10 milionë lekë premio, në rast fitoreje ndaj Tërbunit, çka do të thotë ngjitje në Superiore për ta. Ka qenë Agostin Marku, kryetari i Këshillit Bashkiak, i cili njihet si tifozi më i zjarrtë i Besëlidhjes, që ka konfirmuar një gjë të tillë. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se do të ketë autobusë pa limit, në mënyrë që tifozët të jenë të shumtë në numër.

“Që në nisje të sezonit, Bashkia e Lezhës e ka mbështetur objektivin e caktuar nga presidenca me në krye Gjok Nokën për ta ngjitur skuadrën në Superiore. Për këtë, kemi mundësuar financimin e tifozërisë për ta ndjekur në masë të madhe edhe në transfertë, sidomos në ndeshjet decizive dhe që kanë konkluduar të suksesshme. Duke e parë se Besëlidhja nuk mundi që ta siguronte ngjitjen pa përfunduar ende sezoni, pasi vetëm ndeshja e fundit do ta përcaktojë zyrtarisht, të gjithë vëmendjen tashmë e kemi të përqendruar atje. E për këtë kemi ndarë edhe fonde financiare. Kështu, Bashkia Lezhë ka akorduar 10 milionë lekë premio për futbollistët dhe stafin teknik, po ashtu do të vëmë në dispozicion mjaft autobusë falas, mbi 10 të tillë, ose më saktë pa limit për transportin e të gjithë tifozërisë drejt Pukës në mbështetje të skuadrës në këtë finale historike. Kjo mbështetje ndoshta do të jetë e dyfishtë, pasi edhe presidenti Gjok Noka nuk do të mbetet pas nesh në kontributin e tij të pakursyer në mbështetje të skuadrës. Unë e kam ndjekur gjithmonë Besëlidhjen, e për rrjedhojë e njoh shumë mirë, ndaj nuk është dëshira ime që ajo të rikthehet në shtëpi. Por forca e kësaj skuadre janë këta djem mjaft punëtorë dhe të talentuar që ka në përbërje. Ne po punojmë fort për ta stimuluar ngjitjen e saj në elitë”, ka përfunduar kryetari i Këshillit Bashkiak, Marku.
   
Back To Top