Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja me sytë nga Bashkia, kërkohet mbështetje financiare!

Fushata e zgjedhjeve vendore e ka lënë në hije merkaton e verës së Besëlidhjes. Bashkia e qytetit të Lezhës si institucion ka peshën kryesore në administrimin dhe financimin e skuadrës, ndaj pa u përcaktuar kreu i saj nuk mund të flitet për veprime hyrëse ose dalëse transferimesh në klubin e futbollit.

Që prej sezonit 2007-2008, Besëlidhja nuk është më pjesë e Superligës, pasi ky ishte edicioni i fundit që lezhjanët kanë marrë pjesë në kampionatin e më të mirëve shqiptar. Skuadra që aktualisht drejtohet nga trajneri Ritvan Kulli ka qenë shumë pranë arritjes në superiore, madje e ka tentuar këtë tre vite radhazi, por në ndeshjet e fundit nuk ka mundur dot të hedhë hapin e madh. Në këto 7 sezone nëpër kategoritë inferiore, Besëlidhja që nga sezoni 2009-2010 është drejtuar nga presidenti Gjokë Noka, biznesmeni lezhjan, që njihet për korrektësinë e tij në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj futbollistëve. Nën presidencën e tij, lezhjanët kanë provuar edhe shijen e Kategorisë së Dytë në sezonin 2013-2014, nivel që e kishte provuar vetëm një sezon shumë kohë më parë, konkretisht në 1961-1962 në historinë e saj 85 vjeçare.

Në 2014-ën, Besëlidhja u rikthye në Kategorinë e Parë, ku drejtuesit e saj të kryesuar nga presidenti Gjokë Noka u mobilizuan duke ndërhyrë fuqishëm financiarisht për të afruar futbollistë cilësorë, plot 17 të tillë, 10 prej të cilëve vinin nga skuadra të Superligës. Ky investim goxha i majmë u ndërmor nga krerët e klubit me synimin e vetëm për arritjen e elitës së futbollit shqiptar në fund të këtij kampionati që sapo përfundoi. Por edhe këtë herë misioni nuk u përmbush me sukses, ndërsa “skenari” ishte gati i njëjtë me ata të dy viteve të fundit, ku Besëlidhja gaboi vetëm në ndeshjen e fundit, këtë herë ndaj Tërbunit. Megjithatë, shpresa e tifozëve lezhjanë për të parë skuadrën e tyre të zemrës në Superligë nuk është shuar, sepse shpresojnë që sezonin e ardhshëm, objektivi të përmbushet me sukses, ndërsa sytë e tyre janë drejtuar nga bashkia, prej së cilës kërkojnë mbështetje maksimale drejt këtij qëllimi.
 
Back To Top