Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Malo: Besëlidhja në Pukë për të merituar Superligën!

Në ndeshjen e së shtunës ndaj Veleçikut, skuadra e Besëlidhjes shënoj 5 gola, 2 nga të cilët mbajnë autorësinë e Julian Malos që u ngjit në kuotën e 16 golave.

Dje, Besëlidhja u grumbullua për të vijuar stërvitjen për llogari të javës përmbyllëse të sezonit, ku kalendari i ka rezervuar transfertën e vështirë ndaj Tërbunit që ende kryeson me 1 pikë diferencë. Sulmuesi kryeqytetas, Julian Malo, gjatë një bisede për “Sport Ekspres”, ndër të tjera tha:

“I gjithë mundi, djersa dhe gjithçka tjetër që ka investuar Besëlidhja gjatë këtij sezoni, do të “peshohet” të shtunën në Pukë, në super sfidën finale ndaj Tërbunit. Që nga sot, kemi nisur javën e fundit stërvitore për këtë sezon, javë që do ta shfrytëzojmë maksimalisht për të riparuar atë ç’ka kemi gabuar deri tani, pasi finalja nuk fal. Ne, jemi të vendosur për ta fituar dhe do ta fitojmë këtë sfidë përfundimtare, pasi mundësitë reale janë të plota dhe të pa kontestueshme për një skuadër të kompletuar si Besëlidhja. Kemi disa disavantazhe, por që ne dimë t’i kthejmë në favorin tonë. Pozitive për ne është se që të gjithë futbollistët e formacionit, janë në formën e tyre më të mirë në dispozicion të formacionit. Ndaj, vetëm na duhet përqendrim maksimal dhe dalja shumë shpejt në lojën tonë triumfuese. Duke qenë të qartë se vetëm fitorja na shërben për tu ngjit në Superligë, ne do ta marrim atë si edhe ndaj Mamurrasit, pasi i besojmë forcës sonë që e zotërojmë nga të gjitha pikëpamjet e një skuadre futbolli që pretendon seriozisht Superligën”, tha Julian Malo.
 
Back To Top