Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Milan Djordjevic: Kam mësuar shqip, nuk largohem nga Lezha

Ky është sezoni i dytë që Milan Djordjevic luan me fanellën lezhjane. Duket se lojtari ka rënë në “dashuri” me Lezhën dhe skuadrën e Besëlidhjes. Ai mori me vete në qytetin verior edhe bashkëshorten dhe vajzën e tij. Shumë shpejt arriti të mësonte në mënyrë të kënaqshme edhe shqipen. Ai shprehet se do vazhdojë të luajë sërish me këtë ekip.

“Për herë të parë në Lezhë kam shkelur në janar të 2012- ës, pas një oferte të sugjeruar nga mbrojtësi i atëhershëm i Besëlidhjes, bashkëkombësi im Aleksandër Stojkoviç. Sapo mbërrita në Lezhë në atë kohë, menjëherë u familjarizova dhe m’u duk sikur aty kam një pjesë të madhe të jetës sime, ndaj nuk e refuzova as ftesën e dytë, ndonëse luajta me një ekip të mirë në kampionatin serb. Sezonin që u mbyll, Besëlidhja ishte shumë më e fortë se ajo që pata njohur tre sezone më parë, ndonëse edhe në atë kohë arritëm t’i afroheshim shumë Superiores, por nuk e deshi fati në sfidën finale ndaj Tomorit, gjë që u përsërit edhe tani ndaj Tërbunit”, shprehet fillimisht mesfushori.

“Unë, edhe pse tani kam shumë oferta, nga skuadra të Serbisë apo edhe nga vende të tjera, nuk do t’i ndërroj me Besëlidhjen, pasi aty kam gjetur veten. Në këtë klub më pëlqen gjithçka, që nga presidenti i cili është shumë korrekt e deri te futbollisti më i fundit i stolit, që janë shumë miqësorë. Jam i bindur se presidenti Gjok Noka do ta forcojë edhe më shumë Besëlidhjen e sezonit të ri, gjë që do të pasqyrohet me ngjitjen në elitë. Për sa i përket jetës, jam i lumtur në Lezhë bashkë me familjen time. Kam shumë miq dhe jam familjarizuar. Ky qytet më është kthyer në shtëpinë time të dytë. Kaloj mirë dhe gjithashtu bregdeti është shumë afër”, përfundon prononcimin mesfushori serb i Besëlidhjes.
   
Back To Top