Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 2: Burreli - Besëlidhja 0-0. Barazim mes tensionit...

Policia lokale e Matit mori përsipër sigurinë në ambientet e brendshme të stadiumit për sfidën e djeshme Burreli-Besëlidhja, pasi Bashkia kishte siguruar një tunel portativ, në bazë të kërkesës së policisë. Kjo mundësoi që takimi të luhej me tifozë. Për sa i përket sfidës, ekipet ndanë nga një pikë mes tyre, në një kohë që Besëlidhja ndalet pas fitores 1-0 që arriti në javën e parë. 

Loja nis e barabartë dhe me energji nga të dyja skuadrat, duke bërë që topi të qëndronte për më shumë se 20 minuta në mesfushë. Megjithatë janë lezhjanët në minutën e 22-të që rrezikojnë, por nuk arrijnë të shënojnë. Dy minuta më vonë janë matjanët, të cilët me anë të Ajazit janë pranë golit, por ky i fundit nuk shënjestron siç duhet. Në një moment ka tension në fushë dhe futbollistët e të dyja skuadrave përplasen mes tyre. Por situata qetësohet shumë shpejt. Në minutën e 40-të është Bajiç që ka shansin të shënojë për lezhjanët, por pret portieri Gjergji. Pavarësisht rasteve, pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola. Fraksioni i dytë nuk ka dallim me atë të parin. Ekipet kërkojnë me çdo kusht ndryshimin e rezultatit, por mungon finalizimi. Gjashtë minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Hajdari del i vetëm përpara portës matjane, por topi ndalet lehtësisht nga Gjergji. Në minutën e 60-të është Puka në zonën mike, por gjuajtja e tij ndalet nga mbrojtja lezhjane. Gjashtë minuta më vonë, sërish protagonist bëhet Hajdari, por edhe këtë herë pa rezultat, pasi gjuajtja e tij në të majtën e portës së Gjergjit nuk e rrezikon aspak këtë të fundit. Në minutën e 68-të është Pjetërnikaj i Burrelit që gabimisht mund të shënonte autogol në përpjekje për të larguar topin nga zona. Në minutën e 85-të është rasti i fundit i matjanëve për të shënuar, por gjuajtja e Ajazit është e pasaktë. Gjithçka mbyllet në barazim pa gola, ndërsa drejtuesit e ekipeve kanë vërejtje të ndryshme. Lezhjanët fajësojnë gjykimin, ndërsa matjanët e kanë me ekipin e tyre. Ashtu si edhe sezonin e kaluar, lezhjanët hasin vështirësi në transfertën e Burrelit përballë skuadrës vendëse.

BURRELI-BESËLIDHJA 0-0 
BURRELI: Gjergji, Kaloshi, Met’hasani, Nikshiqi, Myftaraj, Pjetërnikaj, Ujkaj, Mëllugja (Salaj 84′), Kadiu (Stana 70′), Puka (Kordha 78′), Ajazi. Trajner: V.Gjoni
BESËLIDHJA: Bejte, Kastrati, Sykaj, K.Dibra, Semina, Pepaj (Erkoçeviq 46′), Zefi, A.Dibra (Djepaxhia 65′), Hepaj, Hajdari, Bajiç (Marashi 53′). Trajner: K.Krepi KARTONË TË VERDHË: Ujka 59′, Kadiu 60’/ Pepaj 31′, Marashi 60′
GJYQTARË: K.Shahini (Tiranë), F.Elezi, R.Mersini (Durrës)
VËZHGUES: S.Avdo (Tiranë) DELEGAT: G.Mishaj (Tiranë)
   
Back To Top