Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 10: Korabi - Besëlidhja 2-0. Lezhjanët zbresin të dytët

Besëlidhja humb kreun në ndeshjen e parë të fazës së dytë. Pas gjashtë javësh në vendin e parë në Grupin A, lezhjanët zbresin të dytët duke ia lënë vendin Kastriotit. Skuadra e drejtuar nga Kreshnik Krepi është mundur në Peshkopi nga Korabi vendës me rezultatin 2-0. 

Pavarësisht reshjeve të shiut që nuk pushuan gjatë të gjithë ditës së djeshme në Peshkopi, stadiumi ishte i mbushur nga tifozët për të ndjekur një sfidë të rëndë- sishme siç ishte ajo e djeshmja. Një pjesë e parë e barabartë për të dy ekipet që shfaqën një futboll të bukur dhe duke krijuar shumë raste për shënim. Por, pavarësisht kësaj, asnjë prej tyre nuk arriti që të finalizonte siç duhet dhe pjesa e parë u mbyll në barazim. Pjesa e dytë nis më mirë për vendësit pasi provojnë me Begajn, por pret Bejte. Më pas kundërpërgjigjen lezhjanët me serbin Bajiç, por Kotorri bën detyrën duke e shpëtuar portën e tij nga goli. Pas minutës së 60-të, dibranët shtojnë forcat në sulm dhe krijojnë disa raste për shënim me Melanin, Gjokën e Gurin, por mungon goli. Megjithatë, në të 70-ën do të vijë edhe avantazhi për Korabin. Kapiteni Mziu merr një top nga mesi i fushës dhe, pasi u shkëputet bukur dy mbrojtësve, godet brenda zonës, grushton portieri, por aty është Guri që ndjek aksionin dhe e dërgon topin në rrjetë duke ngritur peshë tifozët e pranishëm në stadium. Miqtë përpiqen të reagojnë, por e kanë të vështirë përballë mbrojtjes vendëse. Korabi e menaxhon mirë avantazhin dhe, në minutën e 89-të, shënon edhe golin e dytë dhe të sigurisë. Shazivari ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi në pozicion shumë të vështirë, në një kohë që portieri Bejte bën një gabim amator pasi sfera i kalon mes shalëve dhe përfundon në rrjetë. Sfida për vendin e parë në Grupin A është bërë shumë e fortë, pasi në garë janë minimalisht katër ekipe.

Korabi-Besëlidhja 2-0
GOLAT: Guri 70′, Shazivari 89′
KORABI: Kotorri, Melani, Frashëri, Bishaj, Muqollari (Shehaj 90′), Mziu, Begaj (Kolgegaj 85′), Shazivari, Gjoka, Mezini, Guri. Trajner: D.Mehmeti
BESËLIDHJA: Bejte, Kastrati, Sykaj, K.Dibra, Baçi, Zefi (Pepaj 89′), Hepaj, Hajdari, Gjorgjeviç (A.Dibra 70′), Marashi (Semina 46′), Bajiç. Trajner: K.Krepi
KARTONË TË VERDHË: K.Dibra 13′, Bajiç 27′, Muqollari 58′, Ramazani 65′, Kotorri 90′, Bishaj 27′
GJYQTARË: L.Alla, D.Korreshi, E.Malo (Lushnjë)
VËZHGUES: S.Bogdani (Durrës) DELEGAT: A.Mone (Tiranë)
   
Back To Top