Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bejte: Ju kërkoj ndjesë të gjithëve për atë që ndodhi në Peshkopi

Portieri i Besëlidhjes, i cili gaboi në ndeshjen e së shtunës së kaluar në Peshkopi, ku pësoi dy gola nga Korabi, ka reaguar dje në lidhje me akuzat e hedhura nga tifozët lezhjanë në adresë të tij. Ultrasit e Besëlidhjes kanë hedhur dyshime në lidhje me portierin, por “gardiani” vendos të flasë duke sqaruar gjithçka ka ndodhur në takimin e kaluar me dibranët.

“Kam gabuar në ndeshjen me Korabin dhe kjo është e vërtetë. Por, ato mund t’i ndodhin çdokujt në futboll, pasi askush nuk është perfekt. Në radhë të parë, dua t’i kërkoj ndjesë të gjithë skuadrës, shokëve të mi, stafit teknik dhe në veçanti presidentit Gjok Noka, i cili më paguan mua dhe të gjithë ekipin. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi në Peshkopi dhe përfitoj nga rasti t’u kërkoj ndjesë të gjithëve. Gjithashtu, edhe tifozëve, pavarësisht atyre aludimeve që kanë hedhur ndaj meje. Dua t’u kërkoj mbështetje maksimale për ekipin në këto momente të vështira, pasi vetëm kështu mund ta kalojmë këtë situatë dhe të rikthehemi sërish në krye të grupit. Besoj se do të rikthehemi te fitorja shumë shpejt, pasi kjo Besëlidhje është ndërtuar për t’u ngjitur në Superiore dhe kam shumë besim se do t’ia arrijë qëllimit”, përfundon prononcimin e tij portieri i skuadrës lezhjane, Ibrahim Bejte. Ndërkaq, skuadra ka nisur përgatitjet për takimin e radhës që do të luajë në fundjavë në fushën e vet ndaj Burrelit ku të gjithë janë të bindur se do të fitojnë dhe do të rikthehen shumë shpejt në krye të grupit.
   
Back To Top