Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 12: Besa - Besëlidhja 2-3. Lezhjanët ia dalin edhe me 10 lojtarë!

Një përplasje që ngjalli nostalgjinë, kur këto dy ekipe ishin pjesë e Superiores. Gola spektakolarë, autogola, kartonë të kuq dhe çdo gjë që i takon një ndeshjeje futbolli. Një takim që argëtoi tifozët. Me këtë 3-pikësh, lezhjanët ruajnë ritmin dhe mbeten sërish një pikë larg Kastriotit. 

Miqtë janë të rrezikshëm që në fillim. Pas goditjes në portë, grushton Dajsinani dhe sfera mbetet aty, por Bajiç nga shumë pranë nuk arrin të shënojë. Por vendësit e marrin veten shpejt. Janë minuta kur Besa kërkon, por pa rezultat. Vijojnë minutat dhe aksionet spostohen nga njëra portë në tjetrën. Vendësit tentojnë të qarkullojnë topin dendur, por mbrojtja mike, ku dallohet Semina, shmang rreziqet. Pjesa e parë mbyllet në barazim. Me fillimin e së dytës, miqtë mbeten me dhjetë lojtarë, pasi Dibra del me karton të kuq. Fillimisht, ai e merr të parin të verdhë për një ndërhyrje dhe menjëherë të dytin për shkak se shkelmon topin në formë proteste. Pavarësisht se me një lojtar më pak, lezhjanët kalojnë në avantazh në të 59-n. Gjorgjeviç jep një asist për Bajiç që nuk e ka të vështirë të shënojë brenda zonës. Kur Besa dominonte, vjen eurogoli i Hajdarit që në një pozicion diagonal godet nga rreth 20 metra dhe topi ndalet në rrjetë. Vendësit reagojnë në mënyrën më të mirë dhe brenda dy minutash shënojnë dy gola duke barazuar rezultatin. Alked Çelhaka shënon të parin në të 69-n. Është sërish mesfushori që hyn në zonë dhe godet në një kënd thuajse zero, por Bejte gabon fatalisht dhe portierit i shpëton topi nga duart e përfundon në rrjetë. Megjithatë, Besëlidhja nuk e humbet besimin dhe në të 74-ën shënon golin e avantazhit dhe të fitores. Hajdari godet fort dhe topi, pasi devijohet nga mbrojtësi vendës Duka, përfundon në rrjetë. Miqtë e ruajnë avantazhin deri në fund.

Besa-Besëlidhja 2-3
Golat: A.Çelhaka 69’, 70’/ Bajiç 59’, Hajdari 66’, Duka 74’(a)
Besa: Dajsinani, Bejko (S.Çelhaka 77’), Kullolli, Duro, Perja, Duka, Lushkja (Hoxha 83’), Leka (Sallaku 62’), Bajaziti, A.Çelhaka, Hasa. Trajner: Y.Zani
Besëlidhja: Bejte, Shytani (Pepaj 46’), Sykaj, Semina, Baçi, Kastrati, Dibra, Gjorgjeviç, Hajdari, Marashi (Gjokeja 90’), Bajiç (Ferhati 90+2’). Trajner: K.Krepi
Kartonë të verdhë: Kullolli 63’, Baçi 67’
Kartonë të kuq: Dibra 51’, 51’(2v), Duro 62’, 84’(2v)
Gjyqtarë: E.Jorgji, A.Mahmuti, E.Bodeci (Elbasan)
Vëzhgues: P.Aliko (Vlorë)
Delegat: H.Hitaj (Tiranë)
 
Back To Top