Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Largohet trajneri Krepi, në vendin e tij Samuel Nikaj

Historia përsëritet sërish. Ashtu si tre sezone më parë kur Sajmir Malko largohej nga skuadra lezhjane dhe deklaronte se arsyeja e dorëheqjes ishte ndërhyrja në formacion e presidentit Gjok Noka, e njëjta gjë ka ndodhur dje me trajnerin aktual Kreshnik Krepi.

Një histori e çuditshme shqiptare, aq më tepër që ndodh vetëm gjatë një ndeshjeje miqësore. Presidentit lezhjan nuk i ka pëlqyer loja e skuadrës gjatë sfidës së djeshme në Lushnjë ndaj skuadrës vendëse dhe ka urdhëruar trajnerin Krepi të bëjë ndryshime duke i dhënë sugjerime. Tekniku nuk e ka pranuar kurrsesi këtë situatë duke e kundërshtuar presidentin në distancë.

Pesë minuta përpara përfundimit të pjesës së parë kur rezultati ishte i barabartë 0-0, Krepi lë pankinën dhe largohet. Burime të sigurta pranë skuadrës bëjnë të ditur se përplasja mes tyre ka qenë më shumë për lojtarët e huaj që janë aktualisht në provë te Besëlidhja, dy afrikanë dhe një serb. Krepi ka këmbëngulur disa herë edhe në prononcimet e tij për shtyp se këta lojtarë nuk po e bindin. Kjo nuk i ka pëlqyer presidentit për të ardhur te përplasja e djeshme që ka sjellë edhe largimin e Krepit nga stoli i Besëlidhjes.

Në stolin e Besëlidhjes do të ulet Samuel Nikaj, një tjetër trajner shkodran, i cili këtë sezon ka drejtuar ekipin e Tërbunit për 8 ndeshjet e parë të Superligës. 
 
Back To Top